Wednesday, October 29, 2008

Titullari i Kultures Pango grabit Artin

Ja se si gënjen ministri Pango me projektet. Më poshtë shkruhet për një miratim të projektit që ka të bëjë me TIFF, kur në fakt nga organizatorët pohohet që nuk kanë marrë asnjë mbështetje.

Projektet e miratuara nga Këshilli Artistik pranë MTKRS, për periudhën Janar-Dhjetor 2008.

Shoqata Albanian Art Institute, me drejtor Ilir Butka, ka paraqitur projektin me titull:” “Tirana International Film Festival”. Qëllimi i këtij projekti është që gjatë një jave të zhvillimit të TIFF, Tirana të shndërrohet në një forum artistik ndërkombëtarë. Slogani i këtij aktiviteti është “Mendojmë ndryshe, shohim njësoj”.

Flet programuesi i “Tirana International Film Festival”, Genc Përmeti

Titullari i Kulturës Pango grabit artin

Intervistoi: Julia Vrapi

Edhe këtë vit në muajin dhjetor pritet të zhvillohet në vendin tonë një prej evenimenteve më të rëndësishme kinematografike “Tirana International Film Festival”. Tashmë ky eveniment për vlerat që sjell, është renditur përkrah shumë festivaleve me përmasa botërore. Këtë vit nga organizatorët e tij është menduar, që të jenë të ftuar dhe shumë personalitete të kinematografisë botërore si Abel Ferrara, Aleksandre Rocquell, Brandon Cole, Williem Dafo, Paolo Sorentino, Alejandro Jodorowski etj. Por fatkeqësisht edhe pse tashmë është një prej eventeve më të rëndësishme, i cili përcjell vlera në kinematografi, ai është braktisur nga Ministria e Kulturës, e cila edhe këtë vit nuk e mbështet financiarisht. Të ndodhur në këtë gjendje organizatorët e saj, po përballen me shumë vështirësi për të realizuar këtë festival. Por nga ana tjetër të habit fakti, se nga MTKRS po mbështeten disa aktivitete, të cilat kanë hije dyshimi mbi zhvillimin e tyre, dhe nëse janë zhvilluar brenda rregullave. Në një kohë kur titullari Ylli Pango deklaron me gënjeshtra se po mbështet aktivitete kulturore, që tashmë kanë krijuar traditë në vend, nga ana tjetër kemi një braktisje të këtyre evenimenteve. Por ajo që të çudit më tepër janë dhe mashtrimet që bëhen në faqen zyrtare, për mbështetje projektesh nga MTKRS. Në një intervistë dhënë për gazetën,Genc Përmeti,programues i TIFF, rrëfen mbi edicionin e gjashtë të këtij festivali, por dhe mashtrimet që janë bërë nga titullari i kulturës Ylli Pango.

-Këtë vit TIFF, zbret në edicionin e tij të gjashtë. Mund të na zbuloni disa nga surprizat e këtij edicioni,dhe cilët janë disa nga emrat e kinematografisë botërore që pritet të marrin pjesë?

Këtë vit në edicionin e tij të gjashtë Festivali i Filmit “Tirana International Film Festival” do të zhvillohet nga data 1-7 dhjetor. Për herë të parë në një eveniment kinematografik shqiptar, ne mendojmë të kemi emra të mëdhenj, duke filluar nga Abel Ferrara, Aleksandre Rocquell, Brandon Cole, Williem Dafo, Paolo Sorentino, Alejandro Jodoroëski, i biri i babait te kinemase Spanjolle Luis Bunuell vjen si konkurrues në edicionin e gjashtë të TIFF-it, me një nga filmat e tij, por njëkohësisht edhe si prezantues i njërit prej 10 filmave më të njohur në historinë e kinemasë. Kemi dhe një surprizë për kinemanë shqiptare, pasi është një film ku interpreton i biri i të madhit Xhim Belushi, që vjen si kompetitor në këtë edicion të gjashtë të TIFF. Unë do të theksoja, që nuk janë thjesht vetëm këta të ftuarit, që do të jenë prezent në Shqipëri, por dhe në kompeticionin ndërkombëtar ne kemi vërtetë një kompeticion që asnjëherë nuk e kishim menduar që do të ishte kaq i fuqishëm. Në këtë kompeticion ne kemi tre kandidatët për “Oscar”, për filmin e shkurtër më të mirën në vitin 2008. Dy fituesit e festivalit të “Lokarnos”, si dhe disa nga emrat më të mëdhenj që ekzistojnë sot në filmin e shkurtër dhe atë dokumentar. Kudo festival që ato do të merrnin pjesë, do të ishin fitues. Kjo e bën që të jetë Tirana një vend shumë atraktiv jo vetëm për filmin e shkurtër, por dhe për arenën kinematografike në rajon por edhe në Evropë.

-Ç’mund të na thoni për filmat pjesëmarrës në edicionin e gjashtë të TIFF?

Deri tani kanë ardhur mbi 800 filma nga 67 vende të ndryshme të botës. Me kënaqësi shohim që kemi prurje të madhe filmash nga autorët e rinj shqiptarë, për të cilët nuk mund të them një numër të saktë, sepse na vijnë çdo ditë. Ka filma nga Kosova dhe Maqedonia. Është për t’u përshëndetur fakti, se një pjesë e filmave janë xhiruar kohët e fundit dhe disa prej tyre janë me financime të QKK. Kemi vënë re, që çdo ditë dhe më shumë po i jepet prioritet zhanrit të filmit të shkurtër. Rritja e numrit të filmave, përmirëson dhe cilësinë e tyre. Në edicionin e parë ishin vetëm 7-8 filma shqiptarë të shkurtër, ndërsa sot ne e kalojmë numrin 50 të filmave të shkurtër shqiptarë. Kjo tregon zhvillim, jo vetëm në aspektin sasior por dhe cilësor të kinemasë shqiptare.

-Sa jeni mbështetur nga ana financiare për edicionin e gjashtë të TIFF?

Ne këtë vit kemi një problem me financat tona. Mund të them, që janë pothuajse të boshatisura për ti krijuar mundësinë këtyre emrave që përmenda më lart, që të vijnë në Tiranë, megjithëse ne po mundohemi për të bërë të mundur ardhjen e tyre në TIFF. Ne po mundohemi me sakrificat tona, pasi kjo është një sfidë, jo thjesht personale për ne, por për të gjithë kineastët, që të jenë pranë këtyre emrave, që të prezantohen dhe të konfrontohen me këto vepra artistike. Por me një zhgënjim shumë të thellë, po shohim braktisjen që i ka bërë Ministria e Kulturës këtij evenimenti kinematografik. Por unë nuk e kam fjalën thjesht për këtë eveniment, por e kam më tepër për artin dhe kulturën në vendin tonë. Kishim eksperiencën më të hidhur para disa javësh, që ishte braktisja nga ana e MTKRS për të bërë të mundur ardhjen e Peter Brook, që është një nga emrat më të mëdhenj të teatrit botëror për të qenë prezent në vendin tonë me tre shfaqjet e tij, por kjo nuk u realizua sepse nga Ministria e Kulturës nuk u aprovua asnjë fond. Nga ana tjetër ne kemi parë që nga ky institucion ministror janë vlerësuar disa aktivitete, që na kanë çuditur. Në prononcimin e fundit, që pati ministria për ato evenimente që lidhen me teatrin dhe filmin, u prononcua që nuk do të mbështesë asnjë lloj festivali filmi, pasi këtë duhet ta marrë përsipër Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Por nga ana tjetër, papritur e pa kujtuar, disa ditë më parë bën një aktivitet në qytetin e Fierit, që nuk u mor vesh se si u bë dhe aprovon një fond, për të cilin mund të ishte sjellë dhe një emër si Peter Brook, që të bënte histori në teatrin shqiptar, apo të vinte Xhim Belushi me të gjithë të birin që të bënte prezantimin e parë ndërkombëtar, sepse ai ka fituar një sërë çmimesh në Amerikë, por që do të ishte përfaqësimi i tij i parë në Evropë, që do të shoqërohej nga i ati, apo emra të mëdhenj si Abel Ferrarra etj, për të cilët tani jemi duke gërmuar për të gjetur mundësitë e sjelljes së këtyre personaliteteve në vendin tonë. Kjo gjë na ka shkaktuar një telash të madh, sepse ne vetë si organizatorë nuk jemi në gjendje të japim një përgjigje që t’i themi nëse do jua presim apo jo biletën. Të ulet vlera e një festivali në vlerën e biletave, kjo për ne është një tradhti që i bëhet artit. Mund të them, që arritja më e madhe që zoti Ylli Pango ka arritur deri më sot është ndarja në dy kate e sallës së koncerteve gjë që me krenari e shpreh për spotet televizive. Personalisht nuk do guxoja ta bëjë një hap të tillë pasi kjo masakër arkitekturore në emër të përfitimit të sipërfaqeve mund të krijojë premisat (që zotnaruaj), Papa të vendoste një ditë prej ditësh ta bënte cappella sistinen me gjashtë kate dhe te kishte goxha salla.

-Në faqe zyrtare të MTKRS është shkruar se ju jeni mbështetur për këtë projekt. Ku qëndron e vërteta e këtij dokumenti?

Ne pamë në faqen zyrtare të MTKRS, që projekti i “Tirana International Film Festival” në edicionin e gjashtë është aprovuar nga bordi që është ngritur pranë këtij institucioni për pranimin e aktiviteteve kulturore. Në fillim ishim optimistë, dhe menduam që më në fund edhe vetë MTKRS ishte pjesë e promovimit të këtij aktiviteti. Por për çudinë tonë, tani që ka ardhur koha, që ne po përgatisim projektet finale, na transmetohet në mënyrë verbale, që aktivitetet që kanë lidhje me filmin nuk do të financohen nga MKTRS? E para gjë që na habit është se përse përmendet emri i TIFF-it në satin e MTKRS? Nëse është mbledhur bordi dhe është vendosur që ky aktivitet do të financohet, por ti pastaj si ministër vendos që nuk do t’i financosh, pse duhet t’ia çosh bordit për miratim këto projekte? Unë mendoj që kjo është një lloj tallje me 11 njerëz të nderuar të kulturës shqiptare? Ti si ministër tallesh, duke ia dhënë projektin, ata e aprovojnë dhe në fund vendos për atë që ti do vetë. E dyta do të isha dakord nëse kjo do të ishte vërtetë për të gjithë, që shteti ka vendosur që gjithë këta evenimente, që kanë të bëjnë me festivalet e filmit duhet të financohen nga QKK, por në një moment kur ne jemi në vështirësi financiare për këtë eveniment organizohet në emër të një shoqate një aktivitet mbi filmin gjoja me tematike i papasqyruar në sitin e Ministrisë si një aktivitet i aprovuar nga bordi në një rreth tjetër siç ishte ai i Fierit? Ne me këtë rast pyesim, se përse ky eveniment që ka gjashtë edicione, që sjell emra të njohur të kinematografisë botërore, njerëz që kanë sjellë risi në kinematografinë botërore, të sajohet një eveniment tjetër për filmin? Ne jemi partizane të krijimit të sa më tepër aktiviteteve kulturore sidomos për ato që kanë lidhje me kultivimin e filmit pjesë e të cilës ishte edhe “Summerfest” në Durrës këtë vit për të cilën ministria nuk u bë e gjallë. Por veprimet e ministrisë janë shantazhiste për vetë mënyrën sesi financojnë të ashtëquajturi evenimet filmi në Fier të shoqëruara me zvarritjet që organizatorët e këtij evenimeti filmik bënë ndaj TIFF për t’u furnizuar me filma, pasi nuk arritën të kishin më shumë se 9 prej tyre, me ose pa të drejtë shfaqjeje. Kjo është një goditje, sepse ne nuk jemi lypsarë. TIFF nuk drejton dorën për lekë, por ne kërkojmë partneritet, mbështetje. Ne kërkojmë që të na ofrohen disa shërbime si: kinemaja, promocioni etj. Këto vetë MTKRS mund t’i kishte kryere pa shpenzuar lekë, sepse dihet që ka kontrata që mund të na ndihmonte. Me TIFF ne shohim një mosdashje, një lloj pengesë që i bëhet aktiviteteve kulturore. Një njeri që e do kulturën, siç kemi rastin e kryeministrit, i cili i do aktivitet kulturore, i respekton artistët dhe sa herë i kanë kërkuar diçka ai ka qenë i gatshëm që t’i ndihmojë, ndërkohë që këtë duhet ta bënte ministri Ylli Pango, i cili nuk ka kërkuar që të konsultohej një herë me artistët, apo me ne si organizatorë, se si mund të bashkëpunojmë për aktivitete të tilla? Por e kundërta, ministri Pango zgjodhi braktisjen dhe injorimin në mënyrë demonstrative ndaj këtij aktiviteti. Më vjen shumë keq, që ai është shprehur dhe në media për mbështetje të aktivitetit, por në fund vendos që nuk do të japi asnjë mbështetje për këtë aktivitet. Ai nuk ka pranuar që të japi asnjë prononcim për këtë braktisje, që dhe ne ta kuptojmë se cila është arsyeja e mos mbështetjes së TIFF. Porse kur drejtuesi i kësaj ministrie i personalizon gjërat duke i emërtuar institucionet dhe aktivitetet jo sipas emrave përkatës, por sipas drejtuesve ashtu siç e përcaktoi ca kohë më parë në një emision konkursin “Marie Kraja” si konkursi i Zana Çelës, kjo tashmë nuk na çudit më. Duke ju referuar marrëdhënies së drejtpërdrejt të personit me absoluten në esenë “ Mbi krizën e krizave të arsyes” Umberto Eco këtë fenomen e quan krizë të vetë individit.

No comments: